“Më qëlluan katër herë, me vete kisha 120 milionë lekë” – Kambisti përballë GJKKO rrëfen grabitjen nga Nuredin Dumani

Data

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dëshmuar sot kambisti Xhemal Lici, i cili u grabit nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani. Ngjarja, e ndodhur në Elbasan, është rrëfyer me detaje nga vetë viktima, ndërsa Dumani dhe bashkëpunëtorët e tij ndodhen në proces gjyqësor për një sërë grabitjesh dhe atentatesh.

“Nuk e mendova se do të më qëllonin”

Lici tregoi se grabitja ndodhi herët në mëngjes, në momentin që sapo kishte dalë nga banesa. Ai tha se me vete kishte 120 milionë lekë të vjetra (12 milionë të reja), të cilat i kishte vendosur në bagazhin e makinës para se të mbyllte derën e shtëpisë.

“Dola, nuk pandeha se do më qëllonin. Kisha 12 milionë lekë të reja me vete, në një çantë. I lashë në bagazh dhe po kthehesha të mbyllja derën, kur u sulmova,” dëshmoi kambisti.

Ai shtoi se në momentin e sulmit ka parë katër persona, ndërsa njëri prej tyre ka qëlluar drejt tij.

“Më qëlloi njëri, dy herë në gjoks dhe dy në këmbë,” tha Lici.

Vizitat e dyshimta të vëllait të Talo Çelës

Në vijim të dëshmisë, kambisti tha se pas grabitjes, vëllai i Talo Çelës, Bujar Çela, e kishte vizituar disa herë në dyqan duke e pyetur nëse kishte mësuar kush e kishte sulmuar.

“Ai punonte taksist në të zezë. Thyente euro tek unë. Kur nuk kishte njerëz, më pyeste: ‘E mësove kush ta bëri?’ I thashë: Ty nuk të vjen keq për mua? Duket sikur ke mizë në kësulë. Mos u afro më në dyqan.”

“Një vit para se të fliste Dumani, e pashë Talo Çelën në TV dhe e njoha”

Lici sqaroi se nuk e njihte personalisht Talo Çelën, por se e kishte identifikuar nga pamja fizike kur e pa në një intervistë televizive.

“E pashë në TV dhe e njoha nga përmasat e trupit. Ai ishte pas Dumanit gjatë ngjarjes.”

Procesi vijon

Ngjarja për të cilën po gjykohet Dumani është një ndër episodet më të rënda të dosjes voluminoze ku ai ka dhënë dëshmi për dhjetëra krime, duke u bërë një nga bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të drejtësisë shqiptare.

Seanca në GJKKO do të vijojë me dëshmitarë të tjerë dhe administrimin e provave të mbledhura gjatë hetimeve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related