Deputetja e Partia e Lirisë, Erisa Xhixho, deklaroi se Shqipëria po përballet me një problem serioz të pastrimit të parave, duke akuzuar qeverinë se favorizon investime që, sipas saj, nuk mbështeten nga ekonomia reale.
Në një deklaratë për mediat, Xhixho tha se lejet e ndërtimit po u jepen klientëve të pushtetit, ndërsa bizneset që operojnë në mënyrë të rregullt përballen me mungesë konkurrence dhe trajtim të pabarabartë.
Sipas saj, rreth 12 miliardë euro qarkullojnë jashtë sistemit bankar dhe investohen në resorte turistike, kazino dhe projekte të tjera, të cilat, sipas deputetes, ngjallin shqetësime për burimin e financimit dhe ndikimin në ekonomi.
Deputetja iu referua edhe të dhënave të organizatës Altax, duke deklaruar se korrupsioni i kushton ekonomisë shqiptare rreth 1.115 miliardë euro në vit, ose nga 3.1% deri në 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas saj, nëse situata nuk ndryshon, humbjet ekonomike mund të arrijnë deri në 4.8 miliardë euro deri në vitin 2030.
Në reagimin e saj, Xhixho akuzoi kryeministrin Edi Rama se po mbron, sipas saj, korrupsionin dhe klientelizmin, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të angazhohen kundër asaj që e cilësoi si kapje të shtetit dhe model ekonomik që dëmton konkurrencën dhe zhvillimin e vendit.
“Ndërsa Edi Rama vazhdon të flasë për standarde europiane dhe integrim, realiteti është se shqiptarët po humbasin çdo ditë besimin tek një qeveri që ka zgjedhur të mbrojë korrupsionin, klientelën dhe interesat e një grushti njerëzish në kurriz të shumicës”, u shpreh deputetja e Partisë së Lirisë.
