“Mund të jenë paguar…”/ Arratisja e Ndocit, Prençi: Zinxhiri komandues i burgut duhej arrestuar në flagrancë

Data

Arratisja e bujshme e të paraburgosurit Altin Ndoci nga Spitali i Durrësit ka hapur një debat të fortë mbi përgjegjësitë reale të strukturave të sigurisë dhe zinxhirit komandues të burgjeve.

Ish-drejtuesi i policisë Shemsi Prençi, i ftuar në një studio televizive, deklaroi se në këtë rast nuk është zbatuar asnjë procedurë ligjore, ndërsa përgjegjësia nuk mund të ndalet vetëm te drejtori i burgut.

“Sot u dha urdhri për shkarkimin e drejtorit dhe disa drejtuesve, por sipas meje ata duhej të ishin arrestuar në flagrancë. Këtu nuk kemi të bëjmë me neglizhencë, por me implikim serioz,” u shpreh Prençi.

Sipas tij, rasti nuk mund të trajtohet si shpërdorim detyre, kur bëhet fjalë për një të paraburgosur me akuza të rënda për disa vrasje.

“Nuk mund të quhet shpërdorim detyre kur një person i tillë nxirret pa pranga, trajtohet si qytetar i lirë dhe i krijohen kushte për t’u larguar. Këtu mund të ketë pagesa shumë të mëdha, edhe deri në 1 milion euro, që dikush të marrë përsipër një veprim të tillë,” deklaroi ai.

Prençi theksoi se mënyra se si Ndoci është lejuar të lëvizë lirshëm brenda ambienteve të spitalit tregon se kjo nuk ka qenë një situatë e rastësishme.

“Që në momentin që ai shfaqet në kamera i lirë, pa masa sigurie, kjo tregon se kjo gjendje është toleruar. I janë krijuar kushte për të vrapuar dhe për t’u arratisur dhe këto kushte nuk i ka krijuar vetë, por ia ka dhënë institucioni,” shtoi ai.

Sipas ish-drejtuesit të policisë, hetimi duhet të shkojë përtej punonjësve të thjeshtë, duke përfshirë të gjithë zinxhirin vendimmarrës që ka miratuar transportin, shoqërimin dhe kushtet e sigurisë së të paraburgosurit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related