Plot 21 vite me radhë, kompania më e madhe e nxjerrjes së naftës në Shqipëri, “Bankers Petroleum” ka shmangur tatimet duke i shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit. Këtë fakt e vërtetoi disa javë më parë Prokuroria e Fierit. Sipas deputetit Myslym Murrizi në këto 21 vite janë grabitur rreth 15 miliardë euro pasuri kombëtare, ndërkohë që qytetarët shqiptarë e blejnë naftën dhe benzinën më shtrenjtë se çdo vend tjetër në rajon dhe në Europë. Në këtë mega-aferë, nuk bëhet fjalë vetëm për një parti apo një qeveri. Murrizi akuzon drejtpërdrejt si politikanët e Partisë Socialiste, ashtu edhe ata të Partisë Demokratike, për bashkëpunim të heshtur në këtë grabitje të shekullit.
Ai thotë se për 21 vite, asnjë deputet nuk ka guxuar të ngrejë zërin për këtë çështje, duke zgjedhur të heshtë përballë milionave euro që zhduken çdo vit. Ai madje ka nxjerrë me emra dhe shifra përfitimet e tyre duke përdorur studio ligjore. Skema nuk ka qenë vetëm brenda vendit. Sipas Murrizit, kompani të huaja dhe individë të lidhur me to, nga Kanadaja, SHBA dhe Kina kanë përfituar shuma marramendëse. Paga nga 1 deri në 3 milionë euro në vit janë paguar për drejtues të huaj, ndërsa nga përgjimet telefonike dalin edhe detaje skandaloze: një drejtues kinez, i përmendur nga Murrizi si Xhuf Xing Ping Qingu, jepte urdhra për veshjen e punonjëseve të kompanisë “sipas gustove” të tij, madje edhe me kërkesa degraduese dhe denigruese.
