Shqipëria po përballet me një rënie të ndjeshme të lindjeve, duke hyrë në një cikël demografik të vështirë për t’u ndalur. Sipas të dhënave zyrtare, ndërmjet viteve 2015 dhe 2025 numri i lindjeve në vend ka rënë me 35%, një tregues që lidhet me emigracionin e të rinjve dhe rritjen e kostove të jetesës.
Demografët theksojnë se rënia e popullsisë në moshë riprodhuese po përshpejton këtë proces. Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë kësaj periudhe numri i grave të moshës 20–34 vjeç, që konsiderohet kulmi i moshës riprodhuese, është ulur me 32%. Në disa qarqe të vendit, numri i grave në moshë lindjeje është përgjysmuar gjatë dekadës së fundit.
Në vitin 2025 në Shqipëri lindën 21,425 fëmijë, rreth 8% më pak se një vit më parë. Pas pandemisë, rënia e lindjeve është thelluar ndjeshëm, me rreth 26% gjatë periudhës 2021–2025.
Profesori Ilir Gëdeshi, i cili studion prej vitesh zhvillimet demografike në vend, shpjegon se rënia e lindjeve nuk lidhet vetëm me emigracionin, por edhe me kostot e larta të jetesës për familjet e reja.
Sipas tij, shumë çifte shqiptare në emigracion kanë më shumë fëmijë sesa bashkëmoshatarët e tyre në Shqipëri. “Vrojtimet tona tregojnë se sapo dy të rinj largohen nga vendi, ata lindin dy apo më shumë fëmijë”, shprehet Gëdeshi.
Studimet tregojnë gjithashtu një hendek mes numrit ideal të fëmijëve që çiftet dëshirojnë dhe atij që realizohet në praktikë. Në një anketë të vitit 2018, 100 gra deklaruan se dëshironin të kishin rreth 250 fëmijë në total, ndërsa gjashtë vite më vonë këto gra kishin lindur vetëm 121 fëmijë.
Nëse trendi aktual vazhdon, ekspertët paralajmërojnë se deri në vitin 2035 numri i lindjeve në Shqipëri mund të bjerë në rreth 13 mijë në vit, ndërsa në vitin 2040 mund të zbresë deri në 10 mijë.
Demografët paralajmërojnë se vendi po hyn në një fazë të rrezikshme të tkurrjes së popullsisë, ku rënia e lindjeve nuk vjen më vetëm nga zgjedhjet e familjeve, por nga fakti se po ka gjithnjë e më pak të rinj që mund të bëhen prindër.
