Rusia dhe vendet perëndimore të udhëhequra nga SHBA-ja kanë kryer shkëmbimin më të madh të të burgosurve që nga fundi i Luftës së Ftohtë, me gjithsej 24 persona të liruar nga burgu dhe të transferuar në vendet e tyre. Andrey Pivovarov, Vladimir Kara-Murza dhe Ilya Yashin, tre opozitarë rusë, të cilët po vuanin dënimin dje në Rusi, ishin ndër të liruarit ndoshta sporadikë. Asnjërit nuk iu tha se ata po liroheshin në një shkëmbim masiv të të burgosurve me Perëndimin, kur u futën në një autobus për në aeroport të enjten, disa ende në rroba burgu. “Është shumë e vështirë të shkundësh ndjenjën e surrealizmit absolut të asaj që po ndodh,” tha Kara-Murza, një shkrimtar fitues i çmimit Pulitzer, i cili kishte vuajtur 25 vjet burg, në një konferencë shtypi të premten në qytetin gjerman të Bonit. Në daljen e tyre të parë publike që nga lirimi i tyre një ditë më parë, armiqtë e Presidentit Vladimir Putin u zotuan se do të vazhdojnë të luftojnë për një Rusi të lirë dhe demokratike në të cilën mund të kthehen një ditë. Megjithatë, lirimi i tyre riktheu në kujtesë një histori të vjetër spiunazhi, e cila për habinë e shumëkujt, lidhet me Serbinë dhe me ministrin famëkeq Aleksandër Vulin.
Lirimi i armiqve të Putin
Aktivisti opozitar dhe ish-gazetari, Vladimir Kara-Murza, u ka mbijetuar dy sëmundjeve pothuajse fatale, që autoritetet amerikane i kanë cilësuar si “helmime të qëllimshme”. Kundërshtimi i tij për pushtimin rus të Ukrainës çoi në dënimin e tij me 25 vjet burgim nën akuzat për tradhti. Kara-Murza, që ka qenë bashkëpunëtor i kundërshtarit të vrarë të presidentit rus, Vladimir Putin, Boris Nemstov. Ai po ashtu kishte krijuar lidhje të ngushta me anëtarë të Kongresit amerikan, lidhje të cilat ai i përdori për të ndikuar në politikën amerikane karshi Rusisë. Në prill të vitit 2022, rreth dy muaj pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, ai u arrestua nga policia në Moskë nën pretendimet se nuk u ishte bindur urdhrave të policëve. Më vonë gjatë atij viti, prokurorët ngritën ndaj tij akuzën për tradhti dhe në prill të vitit 2023 ai u gjet fajtor dhe u dënua me 25 vjet burgim.
Lidhjet me Vulin
Kara-Murza më parë ka akuzuar edhe politikanin serb Aleksandër Vulin për dorëzimin e transkripteve të një takimi të anëtarëve të opozitës ruse në Beograd tek shërbimet ruse. Ai ka treguar në një intervistë vitin e kaluar për të përditshmen “Nova” për përgjimin e opozitës ruse në Beograd, ku ndër të tjera ishte përfshirë edhe Vulin. Ai në intervistën për “Nova” ka përshkruar në detaje se si është ndjekur nga pjesëtarët e policisë serbe, duke theksuar se kolegët e tij kanë qenë nën vëzhgim të vazhdueshëm gjatë qëndrimit në Beograd, ku po zhvillonin një takim të përfaqësuesve lokalë të opozitës nga Rusia. “Edhe kur bënim një xhiro me varkë në Danub, vazhdimisht na ndiqte një varkë tjetër, madje ishte qesharake për ne, por tani shohim që kjo është bërë qëllimisht dhe se shërbimet serbe e kanë bërë për t’ia treguar ministrit serb Vulin si qen besnik i sekretarit të Putinit Patrushev.Të gjitha bisedat tona në takim u regjistruan. Një javë pas takimit tonë Vulin erdhi në Moskë dhe solli transkriptet e bisedave tona Nikolai Patrushevit”, tha ai.
Skandali i përgjimit
Ish-drejtori i BIA-s Aleksandër Vulin, pasi gazeta “Nova” shkruante për përgjimet e politikanëve rusë, u shpreh në mënyrën e tij, duke i quajtur “gënjeshtarë” opozitarët rusë. “Çdo budalla mund të ketë një mendim, ashtu si çdo spiun mund të paraqitet si humanitar apo aktivist”, tha Vulin në atë kohë. Megjithatë, historia e përgjimit mori një epilog të diskutueshëm, duke qenë se më vonë u zbulua përmbajtja e transkriptit të një takimi mes ministrit të atëhershëm të policisë serbe dhe sekretarit rus të Sigurisë Kombëtare, Nikolai Patrushev. Në transkriptin e bisedës thuhet se Vulin dhe Patrushev folën për aktivitetet e grupit të tyre të punës kundër revolucioneve me ngjyra dhe ministri i policisë i shpjegoi homologut të tij rus se ishte në dijeni të aktiviteteve të organizatës “Rusia e Hapur”, për të cilën tha se kishte mbështetjen e Perëndimit dhe “po punonte kundër interesave ruse”.
