Transmetuesi publik belg VRT i ka kushtuar një analizë të zgjeruar kryeministrit Edi Rama, duke trajtuar rrugëtimin e tij politik, imazhin ndërkombëtar, por edhe kritikat që e kanë shoqëruar gjatë viteve të fundit.
Në artikull përshkruhet karriera e Ramës, nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës deri në mandatin si kryeministër, si edhe profili i tij si artist e piktor. VRT ndalet gjithashtu te marrëdhëniet e tij me liderët ndërkombëtarë, duke e cilësuar si një politikan karizmatik dhe reformator në arenën ndërkombëtare.
Megjithatë, media belge thekson se pas këtij imazhi fshihen akuza të vazhdueshme për korrupsion, përqendrim të pushtetit dhe shqetësime për gjendjen e lirisë së medias në Shqipëri.
Sipas artikullit, kundërshtarët e Ramës pretendojnë se pushteti politik është përqendruar në mënyrë të tepruar rreth figurës së tij, ndërsa mediat kritike janë përballur me presione. VRT përmend edhe vlerësimet e organizatave ndërkombëtare, duke theksuar se Reporterët pa Kufij e kanë renditur Shqipërinë më poshtë në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.
Analiza ndalet edhe te çështjet e korrupsionit, duke kujtuar se disa ish-ministra të qeverisë Rama janë hetuar ose dënuar për korrupsion, ndërsa vetë kryeministri ka mohuar vazhdimisht çdo akuzë ndaj tij.
Artikulli i referohet gjithashtu vlerësimeve të OSBE-së, sipas të cilave zgjedhjet parlamentare kanë shoqëruar shqetësime, ndërsa organizatat ndërkombëtare vijojnë të evidentojnë korrupsionin dhe ndikimin politik si probleme të rëndësishme në Shqipëri.
Një pjesë e veçantë i kushtohet protestave qytetare të javëve të fundit, të cilat, sipas VRT, nisën si reagim ndaj ndërtimit të një resorti luksoz në një zonë të mbrojtur natyrore dhe më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë.
Sipas medias belge, protestuesit tashmë kërkojnë ndryshime kushtetuese, luftë më të fortë kundër korrupsionit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa qeveria argumenton se projektet turistike do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.
