Banorët e Nikaj-Mërturit protestojnë kundër ndërhyrjeve në lumin e Mërturit: Po shkatërrohet mjedisi

Data

Rreth 300 banorë të krahinës së Nikaj-Mërturit, së bashku me aktivistë të mjedisit, zhvilluan një protestë kundër punimeve që po kryhen në lumin e Mërturit për ndërtimin e tre pritave malore nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), duke ngritur shqetësime për dëmtimin e ekosistemit dhe mungesën e transparencës.

Sipas protestuesve, punimet kanë nisur rreth tre javë më parë pa asnjë konsultim publik me komunitetin lokal dhe pa vendosjen e tabelave informuese mbi natyrën e projektit. Ata pretendojnë se ndërhyrja ka devijuar rrjedhën e lumit dhe po shkakton dëme të konsiderueshme në mjedis.

Banorët bëjnë të ditur se gjatë javëve të fundit makineritë e rënda kanë gërryer mbi një kilometër të shtratit të lumit, ndërsa ambientalistët paralajmërojnë se ndërtimi i pritave mund të sjellë ndryshime të pakthyeshme në ekosistemin e zonës.

Nikaj-Mërturi gëzon statusin e Parkut Natyror Rajonal që prej vitit 2014, çka sipas protestuesve e bën edhe më të domosdoshme mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore.

Për të shmangur përshkallëzimin e situatës, makineritë janë larguar përkohësisht nga zona, ndërsa banorët kanë paralajmëruar se do të vijojnë protestat deri në anulimin e plotë të projektit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related