Skena paniku janë regjistruar mbrëmjen e së premtes në Aeroportin Metropolitan të Detroitit, pasi një automjet u fut me shpejtësi në zonën e regjistrimit të pasagjerëve, duke shkaktuar dëme të shumta materiale dhe kaos në terminal.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30 me orën lokale, në Terminalin McNamara, ku makina theu hyrjen kryesore dhe përfundoi në sportelet e check-in të kompanisë ajrore Delta Air Lines. Dëshmitarët raportojnë për një zhurmë të fortë dhe momente frike mes pasagjerëve dhe stafit.
Shoferi doli nga automjeti dhe filloi të bërtiste, ndërsa u neutralizua dhe u arrestua menjëherë nga policia dhe agjentët e sigurisë aeroportuale. Autoritetet konfirmuan se gjashtë persona morën ndihmë mjekësore në vendngjarje, ndërsa tre punonjës të Delta u trajtuan për lëndime të lehta nga mbeturinat.
Fatmirësisht nuk raportohet për të plagosur rëndë. Shkaqet e incidentit mbeten ende të paqarta dhe po hetohen nga autoritetet amerikane.
