Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, reagoi pas publikimit të raportit të Agjencisë Europiane të Mjedisit dhe Komisionit Europian për cilësinë e ujërave larës, duke akuzuar qeverinë dhe pushtetin vendor për mungesë investimesh në mbrojtjen e mjedisit.
Sipas Zhupës, raporti e rendit Shqipërinë në fund të vendeve europiane për cilësinë e ujërave larës, duke e cilësuar këtë si një alarm për shëndetin publik dhe zhvillimin e turizmit.
Referuar të dhënave të raportit, rreth 19% e ujërave larës në Shqipëri vlerësohen me cilësi të shkëlqyer, 38% me cilësi të mirë, ndërsa 23% rezultojnë me cilësi të mjaftueshme dhe 23% me cilësi të dobët.
Deputetja theksoi se bashkitë më problematike, sipas raportit, janë Saranda, Vlora, Durrësi dhe Pogradeci, duke argumentuar se mungesa e investimeve në trajtimin e ujërave të ndotura dhe mbrojtjen e mjedisit ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë situatë.
“Nuk është investuar në pastërtinë e ujërave larës, ndërsa prioritet u është dhënë ndërtimeve pranë deteve, liqeneve dhe lumenjve, pa zgjidhur problemin e ujërave të zeza dhe ndotjes së mjedisit,” u shpreh Zhupa.
Ajo shtoi se raportet ndërkombëtare që evidentojnë këto problematika dëmtojnë më shumë imazhin e turizmit shqiptar sesa protestat qytetare, ndërsa i bëri thirrje qeverisë të investojë në infrastrukturën mjedisore dhe përmirësimin e cilësisë së ujërave.
Sipas Zhupës, zhvillimi i një turizmi cilësor nuk mund të arrihet pa investime serioze në mbrojtjen e mjedisit dhe garantimin e standardeve europiane për cilësinë e ujërave larës.
