Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka njoftuar masat e qarkullimit që do të zbatohen më 11 korrik 2026, në kuadër të aktivitetit muzikor “YE”, i cili do të zhvillohet në zonën e Kasharit.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë gjithë ditës do të ketë kufizime dhe devijime të trafikut në disa nga akset kryesore të kryeqytetit.
Rrugët që do të bllokohen
Nga ora 07:00 deri në 24:00:
- Do të ndalohet qarkullimi në aksin dytësor të autostradës Durrës–Tiranë, nga zona “Eiffel” deri te “Casa Italia”. Segmenti do të funksionojë vetëm me sens daljeje për subjektet që ushtrojnë aktivitet në këtë zonë.
- Do të bllokohet gjithashtu korsia e daljes së autostradës Durrës–Tiranë në rrethrrotullimin e “Casa Italia”.
Nga ora 12:00 deri në 24:00:
- Nuk do të lejohet qarkullimi në segmentin “Casa Italia” – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho”.
- Do të kufizohet edhe segmenti rruga “Sokrat Miho” – rruga “Kasem Shima” – rruga “7 Nëntori”, i cili do të funksionojë vetëm me sens daljeje.
Policia njofton se në aksin Ura e Institutit – Casa Italia mund të ketë bllokime të pjesshme, në varësi të fluksit të automjeteve dhe pjesëmarrësve në aktivitet.
Gjatë periudhës së kufizimeve, akses në zonat e bllokuara do të kenë vetëm automjetet e emergjencës dhe mjetet e Policisë së Shtetit.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të planifikojnë paraprakisht lëvizjet, të përdorin rrugë alternative dhe të respektojnë udhëzimet e efektivëve të Policisë së Shtetit të angazhuar për mbarëvajtjen e aktivitetit.
