Hidhet shorti në Gjykatën e Lartë për kërkesën e Erion Veliajt, gjyqtar i çështjes caktohet Ilir Panda

Data

Gjykata e Lartë ka hedhur këtë të enjte shortin për shqyrtimin e kërkesës së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili kundërshton masën e sigurisë “arrest në burg”. Sipas procedurës së shortit, gjyqtar i çështjes është caktuar Ilir Panda.

Veliaj kërkon nga Gjykata e Lartë ndryshimin e masës së sigurisë dhe lirimin e tij të menjëhershëm, duke argumentuar se çështja ka karakter kryesisht juridik dhe kushtetues dhe nuk kërkon administrim provash të reja apo rikthim për rigjykim në gjykatat më të ulëta.

Në kërkesën e depozituar, mbrojtja pretendon se Gjykata e Lartë ka kompetencën të shqyrtojë në themel ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e masës së sigurisë, si dhe të vlerësojë nëse rreziqet procedurale janë argumentuar në mënyrë konkrete dhe nëse janë marrë në konsideratë masa alternative.

Një tjetër pikë e ngritur nga mbrojtja lidhet me mbajtjen e Veliajt në kafazin prej xhami gjatë seancave gjyqësore. Sipas avokatëve, kjo praktikë cenon dinjitetin e tij dhe parimin e prezumimit të pafajësisë, ndaj kërkohet që ai të mos qëndrojë në atë ambient gjatë proceseve gjyqësore.

Mbrojtja argumenton gjithashtu se vazhdimi i arrestit pengon ushtrimin e mandatit të kryebashkiakut, për të cilin Veliaj është zgjedhur deri në qershor të vitit 2027. Sipas saj, kjo situatë prek jo vetëm të drejtat e tij personale, por edhe vullnetin e qytetarëve që e kanë zgjedhur në krye të Bashkisë së Tiranës.

Në kërkesë theksohet se kthimi i çështjes për rigjykim në shkallët më të ulëta do të sillte zvarritje procedurale, duke rrezikuar që një vendim përfundimtar të merret pasi një pjesë e konsiderueshme e mandatit të ketë përfunduar.

Për këto arsye, mbrojtja i kërkon Gjykatës së Lartë të ndryshojë masën e sigurisë dhe të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të Erion Veliajt.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related