Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në një emision televiziv, ka dhënë detaje mbi paraqitjen e deputetit të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, në SPAK gjatë ditës së sotme.
Sipas saj, Këlliçi është marrë në pyetje në kuadër të një hetimi pasuror që lidhet me dosjen “Partizani” dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Lala sqaroi se në rastet e hetimeve për korrupsion, çdo person i përfshirë i nënshtrohet verifikimit pasuror, ndërsa hetimet shtrihen edhe te rrethi familjar dhe aktivitetet e lidhura politikisht.
Në këtë kuadër, deputeti Këlliçi është pyetur nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit për organizimin dhe financimin e Kuvendit Kombëtar të Rithemelimit të Partisë Demokratike, të mbajtur më 11 dhjetor 2021. Ky aktivitet politik u zhvillua në një periudhë përplasjeje të fortë brenda PD-së, mes Sali Berishës dhe ish-kryetarit të partisë, Lulzim Basha, lidhur me drejtimin dhe vulën e partisë.
Sipas Lalës, pyetjet e SPAK kanë pasur të bëjnë me mënyrën e organizimit të Kuvendit, burimet e financimit dhe nëse këto shpenzime janë kryer në përputhje me ligjin. Ajo shtoi se, në vijim të këtij hetimi, pritet që edhe deputetë të tjerë të PD-së të paraqiten në SPAK për t’u pyetur.
Gazetarja theksoi se SPAK po heton pasurinë e Sali Berishës dhe familjarëve të tij dhe, si pjesë e këtij procesi, po shqyrton edhe elementë që lidhen me aktivitetet politike të Partisë Demokratike. Mbetet për t’u parë nëse këto hetime do të sjellin zhvillime të reja në vijim.
