Fajde me para të dyshuara kriminale, nën akuzë 4 anëtarë të një familjeje nga Lazarati: Prokuroria sekuestron miliona lekë dhe valuta

Data

Prokuroria e Gjirokastrës ka marrë nën akuzë katër anëtarë të një familjeje nga Lazarati, dy vëllezër dhe dy djemtë e tyre, të dyshuar për veprën penale të “fshehjes së të ardhurave”, pas një hetimi disamujor për huadhënie me fajde nga burime të paligjshme.

Sipas autoriteteve, të dyshuarit ushtronin aktivitetin e tyre përmes dy pikave të këmbimit valutor (“Exchange”), njëra në Tiranë dhe tjetra në Gjirokastër, ku dyshohet se jepnin para me interes të lartë, të ardhura që dyshohen se vinin nga veprimtari kriminale. Operacioni policor u kodua “Trace the Flow” dhe u zhvillua në bashkëpunim mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Gjirokastrës.

Gjatë aksionit, policia arrestoi shtetasit R. K., 56 vjeç, L. K., 59 vjeç, dhe P. K., 28 vjeç, ndërsa shpalli në kërkim B. K., 27 vjeç. Të katërt janë banues në fshatin Kordhocë, Lazarat. Vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim.

Nga kontrollet e ushtruara në dy pikat “Exchange” dhe në banesat e të dyshuarve, u sekuestruan shuma të mëdha parash në lekë dhe valutë të huaj, konkretisht mbi 26 milionë lekë, më shumë se 130 mijë euro, si dhe dollarë amerikanë e kanadezë, paund britanikë, franga zvicerane dhe lira turke. Gjithashtu, u sekuestruan 18 blloqe shënimesh, 6 kompjuterë, 6 telefona celularë, pajisje DVR dhe dokumente të tjera që pritet t’i shërbejnë hetimit.

Prokuroria bën me dije se hetimi është zhvilluar me metoda speciale dhe proaktive, në kuadër të procedimit penal nr. 235 të vitit 2025, dhe se ekzistojnë dyshime të forta se familjarët fshihnin të ardhura të konsiderueshme, të përfituara nga huadhënia me fajde dhe nga burime të dyshimta.

Në vijim, materialet procedurale do t’i paraqiten gjykatës për caktimin e masave të sigurisë ndaj të arrestuarve, ndërsa hetimet pritet të thellohen për të dokumentuar plotësisht rrjedhën e parave dhe origjinën e tyre.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related