Anëtari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Irakli Pano, hapi fjalimet në foltoren e radhës të organizuar nga PD këtë të hënë përpara Kryeministrisë.
Në fjalën e tij, Pano i kërkoi kryetarit të PD-së, Sali Berisha, që të mos ndërtojë koalicione me parti apo figura të reja politike jashtë partisë, por të mbështetet te të rinjtë dhe gjenerata e re brenda Partisë Demokratike.
I riu demokrat theksoi se pas procesit të Rithemelimit janë bërë gabime serioze, të cilat sipas tij u reflektuan edhe në rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit. Ai kritikoi imponimin e figurave të papëlqyera nga baza dhe gradimin e tyre në poste drejtuese.
“Pas zgjedhjeve të vitit 2023 kam pasur dilema nëse do të vazhdoja angazhimin politik, por vendosa të flas hapur, përballë qeverisë dhe brenda familjes sime politike. Angazhimi im prevalon mbi pakënaqësitë,” u shpreh Pano.
Sipas tij, një nga dështimet kryesore ishte mënyra se si u trajtua diversiteti pas Rithemelimit, jo si vlerë reale, por vetëm si tezë, duke mos u përqafuar nga demokratët dhe qytetarët.
“Edhe sot e gjykoj të gabuar imponimin e disa figurave të papëlqyera mes nesh dhe gradimin e tyre në pozita drejtuese,” përfundoi ai, duke bërë thirrje për besim te të rinjtë dhe strukturat e brendshme të PD-së.
