Kaos në Indi pas shfaqjes së shkurtër të Lionel Messit, tifozët pushtojnë stadiumin dhe policia humb kontrollin

Data

Një situatë krejtësisht e pazakontë është regjistruar në Indi, ku prania e Lionel Messit ka shkaktuar kaos total në stadiumin më të madh të vendit, “Salt Lake Stadium”, me rreth 110 mijë tifozë të pranishëm.

Tifozët kishin mbërritur prej orësh në stadium për të parë nga afër yllin argjentinas, por pritja e tyre u shndërrua në zhgënjim, pasi Messi u shfaq vetëm për disa minuta, pa zhvilluar asnjë aktivitet të gjatë apo demonstrim sportiv.

Sapo Messi shkeli në fushë, stadiumi shpërtheu në brohoritje me thirrjet “Mesi, Mesi, Mesi”, por pas largimit të tij, situata doli jashtë kontrollit. Të zhgënjyer nga eksperienca e shkurtër, qindra tifozë pushtuan fushën e blertë, ndërsa të tjerë shkaktuan rrëmujë dhe dëme në shkallët e stadiumit.

Pamjet e publikuara tregojnë skena kaotike, me tifozë që vrapojnë në fushë dhe forcat e policisë që nuk arrijnë të ndërhyjnë, për shkak të numrit të madh të njerëzve. Autoritetet u detyruan të tërhiqen përkohësisht, pasi turma kishte marrë kontrollin e stadiumit.

Pakënaqësia e tifozëve lidhej kryesisht me faktin se eventi nuk zgjati sa ishte paralajmëruar, ndërsa shumë prej tyre kishin udhëtuar nga qytete të ndryshme vetëm për të parë idhullin e tyre nga afër.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku pamjet e kaosit janë bërë virale, duke rikthyer edhe një herë në vëmendje ndikimin e jashtëzakonshëm global të Lionel Messit, por edhe rrezikun e keqmenaxhimit të eventeve masive sportive.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related