Një konflikt i dhunshëm i ndodhur mesditën e djeshme pranë Gjimnazit “Shejnaze Juka” në Shkodër ka përfunduar me dy të arrestuar dhe procedim penal për pesë nxënës të mitur.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, në pranga kanë rënë shtetasit K. Th., 24 vjeç, dhe D. K., 19 vjeç, ndërsa janë proceduar penalisht pesë të mitur, katër prej tyre 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur në rrugë, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, ku për motive të dobëta, të rinjtë janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin. Si pasojë e përplasjes, dy shtetas të mitur 17-vjeçarë kanë pësuar dëmtime të lehta.
Policia bën me dije se po vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe sqarimin e rrethanave të konfliktit.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasit K. Th., 24 vjeç, dhe D. K., 19 vjeç, dhe filluan procedimin penal për pesë shtetas të mitur (4 prej tyre 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar).
Këta shtetas, në rrugë, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin dhe si pasojë kanë pësuar dëmtime të lehta dy shtetas të mitur 17-vjeçarë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
