Salianji shpjegon mungesën në Këshillin Kombëtar të PD: Nuk doja të shpërqendrohej vëmendja nga skandalet Rama–Balluku dhe AKSHI

Data

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar lidhur me mungesën e tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, duke sqaruar arsyen e vendimit të marrë.

Përmes një deklarate, Salianji u shpreh se ka zgjedhur të mos marrë pjesë në këtë mbledhje për të mos lejuar, sipas tij, devijimin e vëmendjes nga dy skandalet kryesore që po tronditin qeverinë: aferën Rama–Balluku dhe dosjen e AKSHI-t.

“Sot nuk mora pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, që të mos i jepja mundësi askujt të shmangte vëmendjen nga skandali Rama–Balluku dhe skandali i AKSHI-t”, deklaroi Salianji.

Mungesa e tij vjen në një moment tensionesh të brendshme në Partinë Demokratike. Kujtohet se në mbledhjen e fundit të Kryesisë së PD-së, Salianji pati debate të forta me sekretarin e përgjithshëm Flamur Noka, kryetarin e PD-së Sali Berisha, si dhe me drejtuesin politik të PD-së në Elbasan, Blendi Himçi.

Përplasjet lidhen me takimet që Salianji po zhvillon në qytete të ndryshme të vendit me strukturat dhe mbështetësit demokratë, lëvizje që u interpretuan nga disa drejtues si problematike për unitetin e partisë.

Në atë mbledhje, Noka e akuzoi Salianjin se po ndërmerr një lëvizje brenda PD-së që, sipas tij, i shërben interesave të kryeministrit Edi Rama. Salianji i mohoi këto akuza, duke theksuar se në PD duhet të ketë hapësirë për mendim ndryshe dhe se kritika nuk duhet të përdoret për të zhvendosur fokusin nga skandalet qeveritare.

“Mendova që sot duhet të flisnim vetëm për skandalin Rama–Balluku. Me këto debate po zhvendoset vëmendja. Problemi qenka shqetësimi i demokratëve dhe jo vjedhjet e qeverisë. Unë erdha për t’i bërë gjyqin qeverisë”, është shprehur Salianji në Kryesi.

Ai shtoi se është i gatshëm të denoncojë çdo bashkëpunim me qeverinë dhe sfidoi drejtuesit e PD-së që të mobilizojnë po aq qytetarë sa ai në takimet që po zhvillon.

“Nëse në takime private mblidhni aq shumë njerëz, vetëm mirë i bëni PD-së. Të dalë secili të mbledhë njerëz në çdo zonë dhe i mbushim sheshet”, deklaroi Salianji.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related