Pas përfundimit të tubimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, një pjesë e protestuesve marshuan mbrëmjen e së shtunës drejt Komisariatit nr. 3 në Tiranë, ku ndodhen disa nga personat e ndaluar gjatë protestave të mëparshme.
Sipas autoriteteve, gjatë qëndrimit përpara komisariatit një grup personash, disa prej tyre të maskuar, hodhën gurë dhe sende të forta në drejtim të godinës, duke shkaktuar dëmtime në xhamat dhe ambientet e pritjes së institucionit.
Nga incidenti u raportuan dëme materiale, ndërsa sipas Policisë së Shtetit një efektive e policisë mbeti e lënduar gjatë përplasjes.
Ngjarja ndodhi pasi protesta kishte vijuar fillimisht në mënyrë paqësore në bulevard, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin e personave të përfshirë në aktet e dhunës dhe dëmtimit të pronës publike.
