Media britanike BBC i ka kushtuar një analizë protestave që prej më shumë se një muaji po zhvillohen në Shqipëri, duke theksuar se lëvizja, e cila nisi si reagim ndaj shqetësimeve për mjedisin, është zgjeruar në një mobilizim qytetar me kërkesa më të gjera politike dhe sociale.
Sipas BBC-së, protestat filluan pas kundërshtimeve ndaj zhvillimeve të planifikuara pranë Lagunës së Nartës, ku flamingot u shndërruan në simbol të lëvizjes. Më pas, pakënaqësia u zgjerua duke përfshirë çështje si arsimi, shëndetësia, punësimi, emigracioni dhe mënyra e qeverisjes së vendit.
Në artikull përfshihen dëshmi të protestuesve, të cilët shprehen se kërkojnë më shumë mundësi për të jetuar dhe ndërtuar të ardhmen në Shqipëri, si dhe intervista me personalitete publike që shprehin kritika ndaj zhvillimeve politike dhe ekonomike në vend.
BBC sjell edhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, i cili i konsideron protestat si pjesë të funksionimit të një shoqërie demokratike dhe rithekson mbështetjen e tij për një sistem drejtësie të pavarur.
Analiza ndalet gjithashtu te zhvillimet politike të viteve të fundit, përfshirë transformimin urban të Tiranës, rritjen e turizmit dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke vënë në dukje se, pavarësisht këtyre zhvillimeve, një pjesë e qytetarëve vazhdojnë të shprehin pakënaqësi për korrupsionin, transparencën dhe standardin e jetesës.
Në përfundim, BBC vlerëson se situata mbetet e hapur, me protestuesit që deklarojnë se do të vazhdojnë mobilizimin e tyre, ndërsa qeveria nuk ka sinjalizuar ndryshim të qëndrimit. Sipas medias britanike, flamingot mbeten simboli më i njohur i kësaj lëvizjeje qytetare.
