“Grabitje tokash në Lushnjë”, Braçe publikon pamjet: Policia po shpërdoron detyrën duke dalë kundër ligjit

Data

Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ka denoncuar publikisht atë që e cilëson si grabitje të tokës publike në fshatin Imshtë, në njësinë administrative Bubullimë të Lushnjës, për ndërtimin e një parku fotovoltaik.

Braçe ka publikuar pamje nga protesta e banorëve dhe përballja e tyre me policinë, duke akuzuar efektivët se po veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe po shërbejnë si “përmbarues të grabitjes së tokës”. Në video shfaqet edhe një person që u kërkon banorëve të ndalojnë protestën, të cilin deputeti e quan “agai i ri” që synon ndërtimin e paneleve fotovoltaike në zonë.

Sipas Braçes, toka në fjalë shtrihet nga buza e lumit Seman deri te argjinatura dhe, bazuar në ligjin “Për burimet ujore”, është tokë lumi, pra pronë publike e patjetërsueshme dhe e paparashkrueshme. Ai thekson se çdo tentativë për përvetësimin e saj përbën shkelje të rëndë ligjore.

Deputeti bën të ditur se çështjen e ka kallëzuar në Prokurori prej një viti e gjysmë dhe se hetimet po vijojnë në Prokurorinë e Fierit. Në këtë kontekst, ai ngre pikëpyetje për praninë e Policisë së Lushnjës në terren, ndërkohë që rasti është ende nën hetim.

Braçe akuzon gjithashtu se dy javë më parë, i njëjti person ka qenë në zonë pa polici, por i shoqëruar nga persona që ai i cilëson si kriminalë, të cilët kanë kërcënuar banorët dhe familjet e tyre. Sipas tij, një tentativë e ngjashme për përvetësimin e kësaj toke ka ndodhur edhe më herët, por është ndalur pas nisjes së hetimeve.

Në përfundim, deputeti thekson se toka është pronë e shtetit dhe çdo veprim për ta përvetësuar është grabitje e hapur, ndërsa prania dhe veprimet e policisë në këtë rast përbëjnë shpërdorim detyre.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related