PS refuzon kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, opozita dhe BIRN e cilësojnë si mbrojtje politike nga drejtësia

Data

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka vendosur të votojë kundër kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila akuzohet për shkelje të barazisë në tendera me vlerë qindra milionë euro.

Qëndrimi i mazhorancës u bë publik në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku socialistët deklaruan se nuk ka bazë për dhënien e autorizimit për masën e sigurimit “arrest me burg” apo “arrest shtëpie”.

Deputeti socialist Ulsi Manja, duke lexuar raportin e shumicës, argumentoi se pretendimet e SPAK për rrezik të prishjes së provave nuk janë të mbështetura në fakte konkrete, duke theksuar se Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive në qeveri.

Sipas raportit të PS, masa ekzistuese e ndalimit të daljes jashtë vendit është e mjaftueshme për të garantuar vijimin e hetimeve ndaj ish-ministres.

Nga ana tjetër, opozita e ka cilësuar këtë vendim si një mbrojtje politike për Ballukun. Në raportin e saj, opozita rekomandon votimin pro kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit, duke u bazuar në provat e paraqitura nga prokuroria, jurisprudencën kushtetuese dhe opinionet e Komisionit të Venecias në kuadër të luftës kundër korrupsionit.

Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili mbrojti Ballukun dhe kritikoi mënyrën se si janë trajtuar hetimet ndaj saj në publik, duke i cilësuar si një “gjyq publik”.

Votimi përfundimtar për imunitetin e Belinda Ballukut pritet të zhvillohet në seancën plenare të së enjtes, brenda afateve ligjore të vendimmarrjes së Kuvendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related