Deputeti socialist Erion Braçe ka kujtuar përmes një reagimi në rrjetet sociale ngjarjet e 26 majit 1996, të cilat i cilësoi si një “masakër elektorale” ndaj socialistëve dhe opozitës së asaj kohe.
Në postimin e tij, Braçe shkruan se ajo ditë nuk duhet harruar, duke theksuar se “udhëheqësit socialistë harrojnë, socialistët jo”.
Sipas tij, qëndresa e socialistëve në atë periudhë përshpejtoi rrëzimin e një regjimi që, sipas deputetit, “po vidhte dhe vriste”.
“Gjaku nuk është ujë, nuk bëhet ujë, nuk shuhet me ujë, nuk falet”, shkruan Braçe, duke iu referuar përplasjes politike dhe dhunës së zgjedhjeve të 26 majit 1996.
Deputeti socialist kujton se në ato zgjedhje ai u zgjodh për herë të parë deputet dhe se pas shumë vitesh ka gjetur procesverbalet e asaj kohe, të cilat, sipas tij, dëshmojnë manipulimin dhe dhunën elektorale.
Braçe shkruan se dokumentet tregojnë pjesëmarrje pothuajse totale në votime dhe korrigjime në rezultatet zgjedhore, duke e cilësuar procesin “grotesk, por me gjak”.
Në reagimin e tij, Erion Braçe ndalet edhe te karriera e tij politike, duke theksuar se prej 30 vitesh është zgjedhur vazhdimisht me votën e socialistëve dhe qytetarëve në disa qarqe të vendit.
Ai përmend angazhimin e tij në Berat, Lushnjë, Fier dhe së fundmi në Tirana, duke thënë se ndihet ende “në borxh” ndaj votuesve.
“Nuk ka punë apo rezultat që barazohet me nderin për t’u zgjedhur nga njerëzit”, përfundon Braçe në mesazhin e tij.
