“Durana”, parku teknologjik fantazmë: Skemë për evazion fiskal me bekimin e qeverisë

Data

Projekti “Durana”, i promovuar si një park teknologjik për startup-e dhe inovacion, rezulton të jetë një investim fantazmë që nuk ekziston në terren, por që funksionon në letër për të prodhuar përfitime fiskale për një grup të kufizuar kompanish. Ndërsa infrastruktura mungon, lehtësitë tatimore janë reale dhe në funksion të plotë.

Sipas investigimit të gazetarit Julian Hoxhaj, “Durana” është ndërtuar si një skemë e mirëmenduar për të shmangur taksat, ku kompani që marrin fonde publike përmes tenderëve përjashtohen më pas nga detyrimet fiskale. Në këtë mënyrë, paratë e qytetarëve dalin nga buxheti i shtetit, por nuk kthehen më kurrë në arkën publike, as si tatimfitim dhe as si kontribute të tjera.

Skema funksionon si një rreth i mbyllur: fondet publike kalojnë te kompani private, të cilat falë statusit të parkut teknologjik përjashtohen nga taksat. Ky mekanizëm, sipas Hoxhajt, është zgjatim i politikave të nisura që në vitin 2019, kur qeveria uli ndjeshëm barrën fiskale për kompanitë e IT-së, duke i zbritur taksat nga 15% në 5%.

Por “Durana” shkon edhe më tej. Ajo shitet publikisht si “Silicon Valley” shqiptare, ndërkohë që në praktikë shërben si instrument ligjor për të ligjëruar përjashtimin total nga taksat, pa asnjë kthim real për ekonominë apo inovacionin. Transferimi i pronave publike dhe miratimi i akteve nënligjore kanë ndodhur pa transparencë, ndërsa përfituesit janë të njëjtët operatorë që qarkullojnë fondet publike prej vitesh.

Në thelb, “Durana” nuk është një projekt zhvillimi, por një model i ri i kanalizimit të parasë publike drejt interesave private, me vulën dhe mbrojtjen e qeverisë. Një park fantazmë që ekziston vetëm për të zhdukur taksat dhe për të varfëruar më tej arkën e shtetit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related