Biznesmeni Endri Meksi është paraqitur ditën e djeshme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku ka qëndruar për rreth gjashtë orë në lidhje me denoncimet dhe investigimet që lidhen me çështjen e AKSHI-t.
Në një prononcim për mediat pas daljes nga SPAK, Meksi deklaroi se mbështetja e tij ndaj Prokurorisë së Posaçme mbetet e pandryshuar dhe se do të vijojë publikimin e informacioneve lidhur me atë që ai e cilëson “afera e AKSHI-t”.
“Do vazhdojmë të pasqyrojmë aferën e AKSHI-t dhe të tërheqim vëmendjen e aktorëve të ndryshëm, në mënyrë që të zbardhim sa më shumë nga kjo aferë”, u shpreh ai.
Meksi theksoi se paraqitja e tij në SPAK nuk kishte lidhje me ndonjë interes personal, por me vendimin për të bërë publike problematikat që sipas tij lidhen me këtë çështje.
“Dalja ime nuk ishte për qejf. Mund të zgjidhja të ikja, por vendosa të flas”, deklaroi biznesmeni.
Ai vlerësoi profesionalizmin e prokurorëve dhe shtoi se gjatë qëndrimit në SPAK ka gjetur “vetëm profesionalizëm”.
“Nuk kisha asnjë dyshim për profesionalizmin e tyre. SPAK na ndihmoi për të zbuluar më shumë nga vendimet e GJKKO-së”, tha Meksi.
Në deklaratën e tij, biznesmeni lidhi gjithashtu çështjen e AKSHI-t me sulmin kibernetik të njohur si “Homeland Justice”, duke pretenduar se problematika ka nisur që në vitin 2021.
“Sistemet e AKSHI-t kishin penetrim prej më shumë se një viti. Kjo përkon me rrjedhjen e të dhënave të patronazhistëve dhe publikimin e pagave”, deklaroi ai.
Meksi përmendi edhe emrin e Ermal Beqirit, për të cilin tha se duhet të hetohet në lidhje me çështjen.
“Jam i bindur 1000% se Homeland Justice ka një emër në Shqipëri, Ermal Beqiri”, u shpreh ai.
Ai shtoi se në ditët në vijim do të ketë publikime të tjera dhe detaje të reja lidhur me këtë çështje.
“Jemi vetëm në sezonin e parë. Do kemi vijueshmëri në ditët në vijim”, përfundoi Meksi.
