Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ftuar drejtuesit e industrisë globale të naftës dhe gazit të investojnë në Venezuelë, duke u premtuar atyre “siguri absolute” për kapitalet e tyre. Takimi u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë, vetëm një javë pas operacionit amerikan në Karakas që çoi në arrestimin e presidentit Nicolas Maduro dhe ndryshimin e balancave politike në vend.
Në tryezë ishin përfaqësues të kompanive më të mëdha energjetike amerikane dhe evropiane, përfshirë grupe nga Italia dhe Spanja. Sipas Trump, industria e naftës është e gatshme të investojë të paktën 100 miliardë dollarë në Venezuelë, vend që zotëron rezervat më të mëdha të provuara të naftës bruto në botë.
Presidenti amerikan theksoi se kompanitë do të operojnë nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Uashingtonit. “Do të komunikoni me ne, jo me Venezuelën”, deklaroi Trump, duke nënvizuar se SHBA-të do të vendosin se cilat kompani do të kenë akses në vendburimet energjetike dhe në çfarë kushtesh.
Megjithatë, skepticizmi nuk mungoi. Disa drejtues të industrisë kujtuan se asetet e tyre janë konfiskuar në të kaluarën nga qeveritë venezueliane, duke theksuar se kthimi për herë të tretë do të kërkonte garanci shumë më të forta ligjore dhe politike. Në anën tjetër, kompani që kanë ruajtur prezencën në Venezuelë u shprehën më optimiste, duke deklaruar gatishmëri për të ndihmuar në rindërtimin e sektorit energjetik të vendit.
Autoritetet amerikane pranojnë se rifillimi i prodhimit të plotë do të kërkojë kohë dhe investime të mëdha, pasi infrastruktura energjetike është e amortizuar dhe prodhimi aktual mbetet shumë më i ulët se potenciali real. Aktualisht, Venezuela prodhon rreth 1 milion fuçi naftë në ditë, një shifër larg kapaciteteve historike të saj.
Modernizimi i industrisë së naftës pritet të kushtojë dhjetëra miliardë dollarë, ndërsa paqëndrueshmëria politike dhe mungesa e zgjedhjeve mbeten faktorë shqetësues për investitorët. Sipas Uashingtonit, dialogu do të zhvillohet me autoritetet e përkohshme të vendit, me synimin që vendimet kyçe politike dhe ekonomike të kalojnë përmes mbështetjes amerikane.
Këto zhvillime shënojnë një kapitull të ri dhe shumë të debatueshëm për Venezuelën, ku pasuria energjetike po shndërrohet në element qendror të strategjisë gjeopolitike të Shteteve të Bashkuara.
