Gjatë vitit 2024, Shqipëria importoi 35.5 milionë kilogramë produkte bulmeti, vezë dhe mjaltë, me rritje 13% kundrejt vitit 2023 dhe me rritje 51% kundret vitit 2019. Në të njëjtën kohë, sasia e qumështit të prodhuar në Shqipëri, ra me 5% në vitin 2024 kundrejt vitit 2023 dhe me 30% kundrejt vitit 2019.
Të dyja të dhënat nuk janë ngushtësisht të krahasueshme. Raportimi i të dhënave të tregtisë së jashtme përmbledh në një grup të madh qumështin, llojet e ndryshme të bulmetit si gjalpë apo djathë, vezët dhe mjaltin, ndërkohë që sasia e qumështit të prodhuar në Shqipëri përfshin të gjithë qumështin i cili më pas ose është konsumuar si i tillë, ose është bërë nënprodukte.
Gjithsesi, të dyja të dhënat, sasia e importit dhe sasia e qumështit të prodhuar në vend duket se kanë ecur përgjatë gjashtë viteve të fundit në drejtime të kundërta. Importet rriten ndërkohë që prodhimi vendës bie.
Sa i përket vlerës, importi i grupit “Produkte bulmemore, vezët dhe mjalti” i kushtoi vendit 6.8 miliardë lekë ose rreth 68 milionë euro gjatë vitit 2024, ndërsa Shqipëria eksportoi në këtë grup mallra me vlerë të përgjithshme prej 787 milionë lekësh ose 7.9 milionë euro. Importet në këtë kapitull janë 5 herë më të larta se sa eksportet të matura në sasi dhe pothuajse 10 herë më të larta të matura në vlerë.
