Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore e SPAK që lidhet me tenderin rreth 700 mijë euro të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), ku sipas prokurorisë dyshohet për paracaktim fituesi dhe shkelje të rënda të procedurave ligjore.
Sipas materialeve hetimore, bisedimet për këtë tender kanë nisur dy muaj përpara hapjes zyrtare të garës. Në komunikime përfshihen Benet Beci, në atë kohë administrator i KESH, Ervis Berberi, drejtor i Agjencisë së Efiçencës së Energjisë, si edhe Adela Ruko dhe Dritan Dakoli.
Kontakti i parë mes Becit dhe Berberit rezulton më 29 tetor 2019, përmes një mesazhi SMS, pasuar nga një telefonatë në WhatsApp. Hetimet tregojnë se pas këtij komunikimi, Berberi ka zhvilluar biseda me Dritan Dakolin, ndërsa dyshohet se është mbajtur edhe një takim mes palëve ku është diskutuar tenderi.
Më 31 tetor 2019, Dakoli i dërgon Berberit një dokument në format “Word” me titull “Kërkesat për kualifikim CMA – masterplan KESH”, i cili një ditë më pas i përcillet edhe Benet Becit. Ky dokument përmbante draftin e kritereve të përgjithshme dhe të veçanta të kualifikimit, të cilat u përdorën më vonë zyrtarisht në procedurën e prokurimit për “Zhvillimin Strategjik të Sektorit Energjetik”.
Pas dërgimit të materialeve, Berberi i shkruan Becit se kriteret janë “paraprake” dhe se priten disa detaje nga “Harvardi”, referencë që sipas hetimeve lidhet me ekspertë ose konsulentë të përfshirë në përgatitjen e dokumentacionit përpara shpalljes së garës.
Në komunikime të tjera të nëntorit 2019, Dakoli i dërgon Berberit materiale të tjera strategjike për KESH, duke iu referuar “çunit të Harvardit”, ndërsa Berberi shprehet se dokumentet po përgatiten. Mesazhet sugjerojnë se procesi po koordinohej në prapaskenë, ndërkohë që zyrtarisht procedura nuk ishte ende hapur.
SPAK ka dërguar tashmë për gjykim Benet Becin dhe gjashtë zyrtarë të tjerë, të cilët akuzohen për shkelje të barazisë në tendera dhe favorizim të shoqërisë fituese. Sipas prokurorisë, anëtarët e njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit kanë krijuar avantazhe të padrejta për subjektin fitues, duke cenuar konkurrencën dhe ligjshmërinë e procesit.
Hetimet nisën pas zbërthimit të komunikimeve në telefonin e Ervis Berberit, ku u zbuluan mesazhe dhe dokumente që, sipas SPAK, provojnë se kriteret e tenderit janë hartuar dhe qarkulluar mes personave të përfshirë përpara shpalljes zyrtare të procedurës.
