Trafik kokaine nga Kolumbia drejt Evropës, SPAK çon për gjykim dy anëtarë të një grupi kriminal

Data

Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim dy shtetas shqiptarë, të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që trafikonte sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Evropës, kryesisht Italisë.

Sipas njoftimit zyrtar, përpara Gjykatës së Posaçme janë dërguar Maksim Ndoci dhe Juljan Kollçaku, të cilët akuzohen për “Trafikim të narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet ka rezultuar se lënda narkotike blihej në Kolumbi, transportohej përmes porteve të Amerikës Latine dhe mbërrinte në Itali, ku shpërndahej për grupe kriminale shqiptare, italiane dhe rumune. Aktiviteti i këtij rrjeti shtrihej në disa shtete, përfshirë Shqipërinë, Italinë, Ekuadorin dhe Panamanë.

Procedimi penal nisi pas kërkesës së autoriteteve italiane, pas disa kapjeve në flagrancë në portin e Livornos gjatë vitit 2021. Hetimet u zhvilluan në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, përmes përgjimeve telefonike dhe ambientale, gjurmimit GPS, vëzhgimeve, kontrolleve dhe monitorimit të mjeteve të transportit.

Gjatë operacioneve janë sekuestruar qindra kilogramë kokainë në disa episode të ndara, si në magazina, porte dhe kufij tokësorë në Itali, si dhe në Amerikën Latine. Në disa raste, sasitë e sekuestruara kanë kaluar edhe 400 kilogramë.

Sipas SPAK, Maksim Ndoci dyshohet për rol të rëndësishëm në rikuperimin dhe menaxhimin e ngarkesave të mëdha të kokainës të ardhura nga Amerika Latine, ndërsa Juljan Kollçaku akuzohet për përfshirje direkte në trafikimin e qindra kilogramëve kokainë dhe importimin e dërgesave të tjera drejt Italisë.

Çështja tashmë pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme, ndërsa autoritetet e cilësojnë këtë hetim si një nga goditjet më të forta ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës me përfshirje të grupeve shqiptare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related