Viti 2025 u mbyll me një inflacion mesatar prej 2.2%, niveli i njëjtë me atë të vitit 2024, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave. Megjithatë, muaji dhjetor solli një përshpejtim të rritjes së çmimeve, duke reflektuar presione më të forta sidomos në ushqime dhe qira.
Sipas raportit të fundit për Indeksin e Çmimeve të Konsumit, inflacioni vjetor në dhjetor 2025 arriti në 2.3%, nga 2.1% që ishte në dhjetor 2024. Ndërkohë, krahasuar me muajin nëntor, çmimet u rritën me 0.7%, një tregues i qartë i shtrenjtimit në fundvit.
Rritja vjetore e inflacionit në dhjetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, i cili kontribuoi me +0.96 pikë përqindje, i ndjekur nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0.56 pikë përqindje. Sipas INSTAT, të gjitha grupet e mallrave dhe shërbimeve kanë pasur ndikim pozitiv në inflacion, pasi asnjë kategori nuk ka shënuar rënie çmimesh.
Në rritjen e përgjithshme kanë kontribuar gjithashtu:
- “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0.16 pikë përqindje
- “Hotele, kafene dhe restorante” me +0.15 pikë përqindje
- “Pije alkoolike dhe duhan” me +0.11 pikë përqindje
- “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0.10 pikë përqindje
- “Argëtim dhe kulturë” me +0.08 pikë përqindje
- “Shërbimi arsimor” me +0.06 pikë përqindje
- “Komunikimi” me +0.03 pikë përqindje
- “Veshje dhe këpucë”, “Shëndeti” dhe “Transporti” me +0.02 pikë përqindje secili
Në krahasim mujor me nëntorin 2025, rritjen më të madhe e patën çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1.1%, të ndjekura nga qiratë dhe lëndët djegëse.
Në raport me dhjetorin e vitit 2024, shtrenjtimi më i fortë në shportën ushqimore u regjistrua te produktet e bulmetit. Brenda këtij grupi, çmimet e nëngrupit “Qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 4.4%, të ndjekura nga “Peshk” dhe “Vajra dhe yndyrna” me 3.8% secili, “Mish” me 2.3% dhe “Fruta” me 0.4%.
Megjithëse inflacioni mesatar vjetor prej 2.2% mbetet nën objektivin 3% të Bankës së Shqipërisë, pritshmëritë për vitin 2026 janë më pak optimiste. Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni këtë vit të arrijë në rreth 3.6%, çka nënkupton çmime mesatarisht 1.4% më të larta krahasuar me vitin e kaluar.
