Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim të ashpër në Foltoren e opozitës përpara Kryeministrisë, ku e cilësoi 24 janarin si ditën e përballjes direkte me regjimin, “dhëmbë për dhëmbë”.
Berisha falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen në protestë, duke theksuar se prania e tyre është dëshmi e qëndresës ndaj asaj që ai e quajti “narkoqeveri” dhe “organizatë kriminale armike e Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
Sipas tij, vendi po shpërfytyrohet çdo ditë nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin, ndërsa kjo javë është vendimtare për protestën e 24 janarit, të cilën e cilësoi si më të fuqishmen që Tirana ka njohur ndonjëherë.
“Po vijmë nga Parlamenti. Ajo që ndodhi sot ishte provokimi më i ulët ndaj shqiptarëve. Përballë qytetarëve u vendos ‘Lubi’ Balluku, hajdutja më e madhe që kanë pasur ndonjëherë shqiptarët”, deklaroi Berisha.
Ai akuzoi kryeministrin se e ka dërguar qëllimisht zv/kryeministren në Kuvend për të provokuar dhe për të treguar arrogancë ndaj qytetarëve.
“E solli Rama për t’u thënë shqiptarëve në sy: ju kemi vjedhur dhe do t’ju vjedhim përsëri. Ky ishte mesazhi i sotëm”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së theksoi se opozita dhe qytetarët nuk do të tërhiqen përballë provokimeve dhe se protesta e 24 janarit do të jetë përgjigjja e drejtpërdrejtë ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë.
“Ky regjim duhet përballur. Më 24 janar, shqiptarët do të tregojnë se nuk frikësohen më dhe se janë gati të përballen me të keqen”, përfundoi Berisha mes thirrjeve dhe duartrokitjeve të protestuesve.
