Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur një alarm të fortë politik dhe institucional gjatë protestës përpara Kryeministrisë, duke e cilësuar AKSHI-n si një kërcënim real për Shqipërinë, SHBA-në dhe NATO-n.
Në një fjalim të mbushur me tone të ashpra dhe paralajmërime të drejtpërdrejta, Berisha deklaroi se më 24 janar shqiptarët do t’i tregojnë jo vetëm qeverisë, por edhe botës, fuqinë dhe vendosmërinë e tyre për t’u përballur me atë që ai e quajti regjim kriminal dhe antishtetëror.
“Shteti ligjor është bllokuar. Edi Rama dhe Lubi Balluku po mbajnë peng ligjin dhe drejtësinë. Në këto kushte ka vetëm një rrugë: protesta dhe vetëm protesta”, u shpreh Berisha.
Ai u ndal veçanërisht te skandali i AKSHI-t, duke deklaruar se dokumente serioze ndërkombëtare e cilësojnë këtë strukturë si shpërthyese për sigurinë kombëtare dhe si një rrezik që shkon përtej kufijve të Shqipërisë.
“Sipas dokumenteve të miqve tanë ndërkombëtarë, ajo që po ndodh me AKSHI-n nuk është thjesht korrupsion. Është kërcënim për Shqipërinë, për SHBA-në dhe për NATO-n. Kjo është shumë e rëndë”, theksoi Berisha.
Sipas tij, këto dokumente denoncojnë edhe arrestimet politike, kapjen e institucioneve dhe kërkojnë ndërhyrjen e Uashingtonit dhe Brukselit për të ndalur degradimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Berisha theksoi se ky reagim ndërkombëtar nuk ka ardhur rastësisht, por si rezultat i qëndresës së qytetarëve shqiptarë.
“Ky dokument frymëzohet nga guximi juaj, nga vendosmëria juaj për të mbrojtur të vërtetën dhe për të mos u nënshtruar”, u shpreh ai.
Në mbyllje, kreu i PD-së e cilësoi 24 janarin si një ditë vendimtare, duke paralajmëruar se ajo do të shënojë një kthesë të fortë politike.
“Më 24 janar bota do të mësojë fuqinë tonë. Ky regjim nuk rrëzohet me fjalë, por me qytetarë të vendosur në shesh”, përfundoi Berisha mes brohoritjeve të protestuesve.
