Presidenti francez Emmanuel Macron ka dërguar një mesazh të fortë paralajmërues lidhur me çdo cenim të sovranitetit të Groenlandës, pas deklaratave të përsëritura të Donald Trump për marrjen ose kontrollin e ishullit.
Gjatë mbledhjes së kabinetit të mërkurën (14 janar), Macron theksoi se një veprim i tillë do të përbënte një shkelje të rëndë të sovranitetit dhe do të sillte “efekte zinxhir”, me pasoja të paparashikueshme në nivel evropian dhe ndërkombëtar.
Sipas tij, çdo cenim i integritetit territorial të një vendi evropian dhe aleat nuk mund të konsiderohet çështje dytësore, pasi do të rrezikonte drejtpërdrejt stabilitetin, sigurinë dhe rendin ndërkombëtar të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore.
Macron nënvizoi se Franca nuk i nënvlerëson aspak deklaratat për Groenlandën dhe se autoritetet franceze po ndjekin nga afër zhvillimet. Ai siguroi gjithashtu se Parisi do të veprojë në solidaritet të plotë me Danimarkën, duke mbrojtur sovranitetin e saj kombëtar dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare.
Presidenti francez la të kuptohet se çdo shkelje e tillë do të kishte pasoja të gjera politike, diplomatike dhe të sigurisë, duke e cilësuar çështjen e Groenlandës si një provë serioze për unitetin dhe qëndrueshmërinë e Evropës.
