“Kompani që përlajnë tendera të mëdhenj nga AKSHI” / Berisha denoncon skandalin e radhës: Miliona euro borxh nga sistemi i korrupsionit

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar në një konferencë për mediat atë që e cilëson si një skandal të ri të qeverisë, të lidhur me tenderat publikë dhe funksionimin e AKSHI-t.

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për ngritjen e një sistemi korrupsioni të institucionalizuar, duke deklaruar se “kur kryeministri vjedh, korrupsioni shndërrohet në sistem”. Sipas tij, kompanitë që përfitojnë tendera të mëdhenj kalojnë përmes një strukture të quajtur “Durana”, ku aksesi në tendera negociohet në mënyrë private dhe ndahet sipas pagesave.

Ai pretendoi se ka kompani që përfitojnë qindra milionë euro nga AKSHI dhe institucione të tjera shtetërore, duke e cilësuar këtë praktikë si gjobëvënie dhe abuzim të hapur me fondet publike.

Një pjesë e rëndësishme e denoncimit lidhej me kompaninë “Kreatex”, të cilën Berisha e përshkroi si qendrën operative të një monopoli teknologjik. Sipas tij, kompania kontrollohet realisht nga persona të lidhur me pushtetin politik dhe vijon të përfitojë miliona euro, pavarësisht problematikave ligjore të individëve që e drejtojnë.

Berisha ngriti gjithashtu akuza për Ujësjellës-Kanalizimet e Durrësit, duke thënë se përmes manipulimeve në sistemet digjitale janë ndryshuar faturat e ujit dhe janë rritur tarifat për qytetarët. Sipas tij, janë bërë ndërhyrje në servera dhe aplikacione financiare, duke shkaktuar dëme të drejtpërdrejta për konsumatorët.

Në përfundim, Berisha kërkoi hetim të menjëhershëm nga drejtësia, duke theksuar se këto raste nuk janë të izoluara, por pjesë e një mekanizmi të organizuar korrupsioni që, sipas tij, ka kapur institucionet dhe fondet publike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related