Meta kallëzon Drejtorin e Burgjeve: Më janë mohuar të drejta themelore dhe politike, u izolova në mënyrë të qëllimshme

Data

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka depozituar një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Posaçme ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të rënda të të drejtave kushtetuese dhe politike.

Sipas kallëzimit, Meta pretendon se gjatë më shumë se 14 muajve në paraburgimin “Jordan Misja”, ku ndodhet me masë sigurimi “arrest në burg”, i janë mohuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëllimshme një sërë të drejtash themelore. Ai thekson se autoritetet penitenciare i kanë ndaluar komunikimin me median dhe gazetarët, takimet me deputetë të Kuvendit, eurodeputetë dhe drejtues të Partisë së Lirisë, si edhe ushtrimin e veprimtarisë politike dhe publike.

Në kallëzim theksohet se këto kufizime nuk janë mbështetur në vendime individuale të arsyetuara dhe nuk justifikohen nga ndonjë rrezik konkret për procesin penal, duke marrë karakter ndëshkues, diskriminues dhe politik. Meta argumenton se ndaj tij është ushtruar një formë persekutimi politik, që synon izolimin e tij nga jeta publike dhe politike.

Një element i rëndësishëm i kallëzimit është edhe qëndrimi i Avokatit të Popullit, i cili pas një hetimi administrativ ka konstatuar diskriminim dhe shkelje të lirive personale e politike, duke i rekomanduar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve marrjen e masave korrigjuese. Sipas Metës, këto rekomandime janë injoruar plotësisht dhe shkeljet kanë vijuar.

Në argumentimin juridik, Meta thekson se veprimet dhe mosveprimet e Drejtorisë së Burgjeve bien në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin për ekzekutimin e vendimeve penale dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ai nënvizon se kufizimi i komunikimit dhe veprimtarisë politike të një lideri opozitar në paraburgim cenon pluralizmin demokratik dhe përbën shkelje serioze të standardeve evropiane.

Në përfundim të kallëzimit, Meta kërkon regjistrimin e procedimit penal, hetimin e plotë të veprimeve dhe mosveprimeve të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, si dhe marrjen e masave të menjëhershme për ndalimin e shkeljeve të vazhdueshme ndaj tij.

Sipas tij, kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me të drejtat e një individi, por me funksionimin e shtetit të së drejtës dhe respektimin e lirive themelore në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related