Përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë zhvilluar sot takime në Kuvendin e Shqipërisë me drejtuesit e grupeve parlamentare të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
Takimi i parë është zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit me kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në orën 12:00. Ndërkohë, në orën 14:00 është parashikuar takimi me kreun e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Burime parlamentare bëjnë me dije se takimet kanë karakter konsultativ dhe lidhen me zhvillimet politike dhe institucionale në vend, si dhe me nisjen e sesionit të ri parlamentar.
Ky sesion do të çelet më 19 janar, në orën 17:00, në një moment të ndjeshëm politik, teksa vendi po përballet me tensione të forta mes mazhorancës dhe opozitës, si dhe me zhvillime të rëndësishme në sistemin e drejtësisë.
Përmbajtja e diskutimeve nuk është bërë ende publike, ndërsa pritet që takimet të japin sinjale mbi qëndrimin e partnerëve ndërkombëtarë për ecurinë politike dhe institucionale të Shqipërisë.
