SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, Kushtetuesja mblidhet për ankimimin e Ramës

Data

Gjykata Kushtetuese u mblodh sot për të shqyrtuar konfliktin e kompetencës mes Kryeministrit Edi Rama dhe Gjykatës së Posaçme, lidhur me vendimin për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Kryeministri ka ankimuar vendimin e GJKKO-së, e cila më herët vendosi pezullimin e Ballukut nga detyra dhe ndalimin e saj për të udhëtuar jashtë vendit, pasi ajo u mor e pandehur për shkelje të barazisë në tendera. Pas ankimimit, Gjykata Kushtetuese e riktheu Ballukun në detyrë, ndërsa sot pritet të vendosë nëse do të marrë një vendim përfundimtar apo do të kërkojë më shumë kohë për shqyrtim.

Gjykata është mbledhur disa herë gjatë ditës, ndërsa çështja e Ballukut është në fazën e këshillimit. Ende nuk dihet nëse do të ketë një vendim përfundimtar pas seancës publike të mbajtur më 22 janar.

Ndërkohë, SPAK ka kërkuar leje për arrestimin e Ballukut, duke thelluar hetimet ndaj saj. Prokuroria e Posaçme e akuzon atë për manipulim tenderash me vlerë rreth 210 milionë euro, si dhe për shkelje të barazisë në procedurat e prokurimit publik.

Përveç dosjeve ekzistuese, SPAK ka njoftuar se Balluku po hetohet edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi, përfshirë segmente të Unazës së Jashtme të Tiranës dhe projekte të mëdha infrastrukturore, çka e rëndon ndjeshëm pozitën e saj përballë drejtësisë.

Në këtë fazë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të jetë kyç për vijimin e procedurave penale ndaj numrit dy të qeverisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related