Detaje të reja janë zbardhur lidhur me plagosjen e trefishtë që ndodhi në orët e para të mëngjesit në një lokal në Deçan.
Sipas mediave në Kosovë, dy nga personat e plagosur janë të nacionalitetit serb, ndërsa i treti është një avokat shqiptar. Burimet bëjnë me dije se tre të plagosurit ndodheshin të ulur së bashku në të njëjtën tavolinë, në momentin kur i dyshuari hapi zjarr ndaj tyre.
Mësohet se autori i dyshuar ka qenë në gjendje të dehur gjatë momentit të sulmit. Në vendngjarje ndodhej edhe një zyrtar policor, i cili ka ndërhyrë menjëherë duke neutralizuar të dyshuarin.
Ngjarja është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale e Pejës. Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 00:18 policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në një lokal në Deçan. Forcat e rendit kanë konstatuar tre persona të shtrirë, të plagosur nga arma e zjarrit, të cilët janë transportuar fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare dhe më pas në Emergjencën e Spitalit të Pejës.
Një person i dyshuar është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Në vendngjarje janë sekuestruar një armë zjarri, një karikator dhe nëntë fishekë.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
