Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen 2023, aktivistja iraniane për të drejtat e njeriut Narges Mohammadi, është arrestuar sërish në Iran, vetëm pak muaj pasi ishte liruar përkohësisht për arsye shëndetësore.
Sipas një njoftimi të publikuar në rrjetin social X nga Komiteti Mbështetës i saj, Mohammadi u mor me forcë nga forcat e sigurisë dhe policia gjatë një ceremonie përkujtimore në ditën e shtatë të zisë për avokatin e ndjerë Khosrow Alikordi. Informacioni është konfirmuar edhe nga avokatja e saj franceze, Shirin Ardakani, për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP).
Mohammadi, 53 vjeçe, ishte liruar përkohësisht nga burgu në dhjetor 2024 për arsye mjekësore, pasi kishte vuajtur një pjesë të dënimit të saj me burg të dhënë nga autoritetet iraniane. Ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2023 për “luftën kundër shtypjes së grave në Iran dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirisë për të gjithë”.
Bashkëshorti i saj, Taghi Rahmani, i cili jeton në Paris, bëri të ditur se Mohammadi u arrestua në qytetin lindor të Mashhadit, së bashku me aktivisten tjetër të njohur, Sepideh Gholian.
Khosrow Alikordi, 45 vjeç, ishte avokat i disa protestuesve të arrestuar gjatë shtypjes së demonstratave masive në Iran në vitin 2022. Trupi i tij u gjet më 5 dhjetor dhe organizata të të drejtave të njeriut kanë kërkuar një hetim të pavarur për rrethanat e vdekjes. Organizata “Iran Human Rights”, me seli në Norvegji, ka deklaruar se ekzistojnë “dyshime serioze se bëhet fjalë për një vrasje nga shteti”.
Agjencia HRANA (Human Rights Activists News Agency), me qendër në SHBA, publikoi pamje nga ceremonia, ku Mohammadi shihej pa shaminë e detyrueshme për gratë në hapësirat publike në Iran, e rrethuar nga mbështetës të saj. Sipas HRANA, gjatë ceremonisë u dëgjuan thirrje si “Rroftë Irani”, “Luftojmë, vdesim, por nuk pranojmë poshtërim” dhe “Vdekje diktatorit”.
Pamje të transmetuara nga media në gjuhën persiane, me seli jashtë Iranit, treguan gjithashtu Mohammadin duke hipur në një automjet dhe duke nxitur të pranishmit të vazhdonin thirrjet kundër regjimit.
