Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të zhvillohet më 28 janar 2026, në orën 12:00, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Në këtë mbledhje do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Gazetari Ergys Gjençaj, në një lidhje televizive, bëri një përmbledhje të zhvillimeve dhe hapave që priten në vijim. Ai theksoi se më herët kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Këshilli i Mandateve do të mblidhet vetëm pasi të jetë shqyrtuar çështja në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, më 22 janar Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë në themel pezullimin nga detyra të Ballukut, ndërsa vendimmarrja përfundimtare pritet të vijë në ditët pasuese.
Më 28 janar, në mbledhjen e Këshillit të Mandateve do të jenë të pranishëm 10 deputetë anëtarë të këshillit, përfaqësues të SPAK, avokati i Ballukut dhe vetë zv/kryeministrja, nëse ajo vendos të marrë pjesë.
Kjo datë pritet të jetë vendimtare për ecurinë e çështjes, duke përcaktuar nëse Kuvendi do të japë autorizimin për arrestimin, siç kërkohet nga Prokuroria e Posaçme.
