BIRN: Rama sulmon drejtësinë gjatë prezantimit të kreut të ri të AKSHI-t

Data

Gjatë prezantimit të Igli Tafës si drejtuesi i ri i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), kryeministri Edi Rama e shfrytëzoi fjalën e tij për të mbrojtur ish-drejtoreshën Mirlinda Karçanaj dhe për të kritikuar Prokurorinë e Posaçme.

Edhe pse deklaroi se “nuk hyn në meritën e çështjes”, Rama vlerësoi Karçanajn për kontributin e saj në administratë dhe tha se ajo po përballet me akuza që, sipas tij, nuk lidhen me figurën e saj. Ai akuzoi prokurorinë për presion ndaj punonjësve të AKSHI-t, duke pretenduar se janë përdorur metoda të pajustifikueshme në një republikë demokratike.

Karçanaj dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi, janë nën masën e “arrestit në shtëpi” që prej 16 dhjetorit, pasi dyshohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që përvetësonte tendera të institucionit. Në kërkim janë shpallur edhe Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se reforma në drejtësi duhet të respektojë prezumimin e pafajësisë dhe paralajmëroi se hetimet nuk duhet të njollosin punën e një institucioni që, sipas tij, ka transformuar shërbimet publike përmes platformës e-Albania.

Igli Tafa, i cili më parë drejtonte Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, u zotua për vijimin e punës në modernizimin dhe digjitalizimin e shërbimeve shtetërore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related