Ish-ministri i Jashtëm dhe ish-deputeti socialist, Ditmir Bushati, ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve në Hungaria, ku opozita e udhëhequr nga Péter Magyar ka arritur një fitore historike.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bushati e cilësoi këtë zhvillim si një fitore të rëndësishme për demokracinë liberale dhe për vetë Evropën, duke theksuar se ndikimi i saj mund të shtrihet përtej kufijve të Hungarisë.
Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve pritet të ketë “efekte zinxhir” edhe në modele të ngjashme qeverisjeje në Ballkanin Perëndimor, të cilat sipas tij kanë qenë të mbështetura nga politika e Viktor Orbán.
Fitorja e opozitës hungareze, e cila sipas raportimeve ka siguruar shumicën e vendeve në parlament dhe mund të shkojë drejt një dominimi edhe më të madh, po shihet si një moment kyç për zhvillimet politike në rajon dhe në Bashkimin Evropian.
Reagimi i Bushatit i shtohet një sërë komentesh nga aktorë politikë në Shqipëri dhe më gjerë, që e shohin rezultatin në Hungari si një sinjal për ndryshime të mundshme në rajon.
