Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat që po zhvillohen në Shqipëri dhe në disa vende ku jeton diaspora shqiptare, duke iu përgjigjur kritikëve përmes një postimi në rrjetet sociale.
Në reagimin e tij, Rama u ndal fillimisht te debati online, duke kritikuar gjuhën fyese dhe sulmet personale që, sipas tij, po dominojnë diskutimet në rrjetet sociale. Ai u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë të drejtën e ambientalistëve, mbrojtësve të natyrës dhe qytetarëve të shqetësuar për të protestuar, por dënoi atë që e konsideron si gjuhë urrejtjeje dhe fyerjeje.
“Merruni me mua sa të doni, se mua vetëm shëndet dhe vullnet më bëhen sharjet dhe mallkimet tuaja, po boll e ndotët tërë mexhelisin shqipfolës të rrjeteve sociale me fjalorin tuaj me 40 fjalë ku 20 janë sharje e pisllëk”, shkruan Rama.
Në pjesën e dytë të reagimit, kryeministri solli si shembull rajonin e Camargue në Francë, një nga ligatinat më të njohura të Europës, për të argumentuar se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e natyrës mund të bashkëjetojnë.
Sipas Ramës, Camargue ka arritur të ruajë biodiversitetin, lagunat dhe habitatet natyrore, ndërsa njëkohësisht është shndërruar në një destinacion të rëndësishëm turistik dhe ekonomik.
“Franca nuk e mbrojti Camargue duke e mbajtur qytetërimin larg saj. E mbrojti duke e bërë të vlefshme për qytetërimin e saj. Duke kuptuar se natyra nuk është domosdoshmërisht kundërshtare e zhvillimit”, theksoi ai.
Kryeministri argumentoi se sfida nuk është zgjedhja mes natyrës dhe zhvillimit, por krijimi i një modeli ku të dyja ecin paralelisht. Sipas tij, kur peizazhi dhe pasuritë natyrore bëhen pjesë e ekonomisë lokale, rritet edhe interesi për mbrojtjen e tyre.
Deklarata vjen në një moment kur protestat kundër projektit të planifikuar në zonën e Zvërnecit po vazhdojnë në disa qytete të vendit dhe jashtë tij, ndërsa debati publik mbi zhvillimin e zonave të mbrojtura mbetet një nga çështjet më të diskutuara të ditëve të fundit.
