Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar protestën e qytetarëve të Vlorës para Bashkisë, pas pesë ditësh pa ujë të pijshëm. Ai i përgëzoi protestuesit për reagimin qytetar, duke thënë se ata nuk pranuan të heshtnin ndërsa, sipas tij, zyrtarët festonin.
Berisha u shpreh se qytetarët reaguan me dinjitet ndaj padrejtësisë dhe keqmenaxhimit, duke ndërprerë mbrëmjen gala të organizuar nga pushteti lokal. Sipas tij, fondet për furnizimin me ujë janë grabitur, ndërsa banorët po përballen me mungesë të një shërbimi jetik.
Ai theksoi se protesta e vazhdueshme është e vetmja rrugë për të përballur regjimin aktual, duke bërë thirrje për mobilizim qytetar të përditshëm. “Idealet nuk maten me numra, por me guxim”, u shpreh Berisha, duke e cilësuar reagimin e vlonjatëve si shembull për gjithë vendin.
