Gazetari Artan Hoxha e cilëson Ergys Agasin jo thjesht si një person në kërkim, por si figurën që pa dashje po i jep drejtësisë goditjen më të fortë ndaj një sistemi të tërë të kalbur. Sipas tij, Agasi ka dokumentuar çdo takim, premtim dhe marrëveshje, duke ndërtuar një arkivë provash që sot po kthehet në “makthin” e pushtetit.
Hoxha thotë se materiali i mbledhur prej Agasit shkon shumë përtej skandalit të AKSHI-t, i cili është vetëm maja e ajsbergut. Dosjet e sekuestruara përshkruhen si një “kazan ushtrie”, ku çdo dokument që prekët nxjerr prova të rënda për korrupsion dhe abuzim në nivelet më të larta.
Sipas gazetarit, paradoksi është se Agasi është më pak i shqetësuar se ata që kanë bashkëpunuar me të. Pikërisht sepse ai ka dokumentuar gjithçka, sot përbën kërcënim real për gjithë zinxhirin e pushtetit. “Ai ishte një sondë që u fut në damarët e korruptuar të sistemit dhe na tregoi se si funksiononte gjithçka nga brenda”, shprehet Hoxha.
Ai shton se tani Agasi ndodhet përballë një zgjedhjeje vendimtare: të dorëzohet dhe të bashkëpunojë me drejtësinë, ose të qëndrojë i fshehur, duke u kthyer në një peng të rrezikshëm për ata që dikur e mbështesnin. Në të dyja rastet, dëmi për sistemin është tashmë i pakthyeshëm.
Hoxha thekson se ajo që po del në dritë tregon se vjedhja ka qenë aq masive dhe e organizuar, sa sipas tij “ua kanë kaluar edhe mafieve më të njohura”. “Tenxheret sot po ulërijnë”, thotë ai, duke nënvizuar se burimet janë shteruar, skemat po bien dhe gjithçka po u kthehet mbrapsht atyre që ndërtuan këtë mekanizëm.
Sipas Artan Hoxhës, dosja Agasi nuk është fundi, por fillimi i një zinxhiri tronditës zbulimesh që mund të rrëzojnë themelet e pushtetit aktual.
