Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë lidhur me protestën e opozitës që pritet të zhvillohet këtë të premte në kryeqytet.
Në njoftim thuhet se protesta e thirrur nga Partia Demokratike mund të shtrihet edhe në zona të tjera përreth bulevardit kryesor, ndërsa paralajmërohen bllokime rrugësh, masa të shtuara sigurie dhe ndërprerje të qarkullimit.
Ambasada bën të ditur se personeli i saj është udhëzuar të shmangë zonën e protestës, ndërsa qytetarëve amerikanë u kërkohet të mos marrin pjesë në tubim dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjeve në Tiranë.
“Edhe pse protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Autoritetet amerikane këshillojnë qytetarët të shmangin zonat ku zhvillohen protesta, të ndjekin mediat lokale për informacion të përditësuar dhe të kenë rrugë alternative largimi në rast emergjence.
Gjithashtu, ambasada rekomandon që qytetarët të mbajnë profil të ulët gjatë lëvizjeve në publik dhe të jenë të vetëdijshëm për situatën përreth tyre.
Protesta e opozitës pritet të nisë në orën 19:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa Policia e Shtetit ka njoftuar më herët masa të shumta sigurie dhe kufizime të qarkullimit në disa akse kryesore të kryeqytetit.
