Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka vijuar me tone të ashpra deklaratat ndaj qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, duke bërë thirrje për mobilizim qytetar.
Nga foltorja e protestës përpara Kryeministrisë, Berisha u shpreh se opozita është e vendosur për “kryengritje paqësore”, duke theksuar se kjo është rruga e vetme për ndryshim politik në vend.
Ai deklaroi se një qeveri që, sipas tij, vjen nga “farsa elektorale” dhe që përdor ligjin për të mbrojtur korrupsionin, nuk ka legjitimitet për të qeverisur.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal edhe tek SPAK, të cilin e ka kritikuar shpesh, duke pretenduar se institucioni ka qenë i njëanshëm. Megjithatë, ai tha se situata ka ndryshuar në momentin që, sipas tij, SPAK ka guxuar të hetojë figura të lidhura me qeverinë.
“Sapo guxoi të ndjekë penalisht Ramën dhe të marrë dosje të rëndësishme, filloi goditja ndaj tij,” u shpreh Berisha.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos mbështeten tek institucionet, por tek vetja e tyre si forcë për ndryshim, duke theksuar se “shpresa jeni ju vetë”.
Në përfundim, lideri i opozitës përsëriti qëndrimin se me kryeministrin Edi Rama nuk ka të ardhme për vendin, duke kërkuar largimin e tij dhe rikthimin, sipas tij, të ligjit dhe drejtësisë.
