Berisha: Ndryshimet në Kodin Penal shkelin Kushtetutën, tentativë për të shpëtuar Ballukun

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj nismës së Partisë Socialiste për ndryshime në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, duke e cilësuar atë si shkelje flagrante të Kushtetutës dhe përpjekje për të mbrojtur zv/kryeministren Belinda Balluku nga pezullimi.

Në një konferencë për mediat, Berisha tha se ndryshimet e propozuara, të cilat synojnë të përjashtojnë kryeministrin, ministrat dhe disa funksione të tjera kushtetuese nga masa e pezullimit, bien ndesh me frymën dhe germën e Kushtetutës.

Sipas tij, “atë që nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta, nuk mund ta bëjë ligji”, duke theksuar se organet kushtetuese nuk mund të marrin mbrojtje shtesë përtej asaj që parashikon Kushtetuta. Ai e quajti draftin “amendamenti Rama-Balluku”, duke e cilësuar si një akt të papranueshëm dhe në kundërshtim me vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese.

Berisha përmendi si precedent një vendim të vitit 2002 të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi ndryshime ligjore që synonin të forconin mbrojtjen e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke argumentuar se ligji nuk mund të tejkalojë Kushtetutën.

Kreu i opozitës kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e konsideruar nismën si përpjekje për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur zyrtarë të përfshirë në hetime.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related