Berisha del hapur pro investimit në Zvërnec dhe Sazan, sfidon kritikët: Tokat janë private, reagimi im ka qenë “plotësisht dakord”, mjedisi duhet respektuar

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sqaruar sërish qëndrimin e tij lidhur me projektet e investimeve në Zvërnec dhe ishullin e Sazanit, duke deklaruar se mbështet investimet e huaja, por duke kërkuar njëkohësisht respektimin e plotë të standardeve mjedisore.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Berisha kujtoi se që në momentin kur u bë publik interesi i investitorëve të huaj për këto zona, ai kishte shprehur mbështetjen e tij. Sipas tij, interesi ekonomik i vendit duhet të prevalojë dhe Shqipëria duhet të jetë e hapur ndaj kapitaleve serioze që sjellin zhvillim dhe punësim.

Duke u ndalur te debati për Zvërnecin, lideri demokrat theksoi se toka ku parashikohet investimi është pronë private dhe se kjo duhet të merret parasysh në çdo diskutim publik. Ai nënvizoi se Partia Demokratike mbështet investimet e huaja, por nuk heq dorë nga mbrojtja e mjedisit dhe respektimi i ligjit.

Berisha kritikoi gjithashtu zërat që kundërshtojnë projektin në ishullin e Sazanit, duke i cilësuar si hipokritë. Sipas tij, në ishull nuk parashikohet shkatërrim i territorit apo i pasurive natyrore, ndërsa investimi mund të shërbejë si motor zhvillimi për turizmin elitar dhe ekonominë shqiptare.

Kreu i PD-së kujtoi se gjatë qeverisjes së demokratëve sipërfaqja e zonave të mbrojtura në vend u rrit ndjeshëm, nga 3% në 16%, duke theksuar se forca politike që ai drejton ka qenë historikisht e angazhuar për mbrojtjen e natyrës. Sipas Berishës, debati për investimet duhet të zhvillohet mbi fakte dhe jo mbi emocione apo interesa politike.

Deklaratat e tij vijnë në një moment kur projekti i Zvërnecit vijon të shkaktojë debate të forta publike, protesta qytetare dhe përplasje politike mes qeverisë, opozitës dhe aktivistëve mjedisorë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related