Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur alarmin për mënyrën se si mund të zhvillohet zona e Zvërnecit, duke paralajmëruar se ndërhyrjet e pakontrolluara dhe interesat e mafias së ndërtimit mund ta kthejnë një nga perlat më të rralla natyrore të vendit në një model të ngjashëm me atë të Ksamilit.
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha u shpreh se shqetësimi i tij kryesor nuk lidhet me investimin në vetvete, por me mënyrën se si mund të zbatohet ai në terren. Sipas tij, zhvillimi i zonës duhet të respektojë peizazhin, ekosistemin dhe identitetin natyror të Zvërnecit.
“Rastit të Zvërnecit i druhem se mafia shqiptare mund ta shndërrojë në një Ksamil të dytë. Është e pamëshirë dhe kjo do të ishte një dramë e vërtetë për ne. Nga një bizhu e rrallë natyrore, mund të degradojë në një model betonizimi që do të humbiste vlerat unike të zonës”, deklaroi Berisha.
Sipas liderit demokrat, çdo projekt zhvillimi duhet të harmonizohet me mjedisin dhe të mos përsërisë gabimet që, sipas tij, janë bërë në zona të tjera turistike të vendit. Ai theksoi se Zvërneci përfaqëson një pasuri të jashtëzakonshme natyrore dhe se çdo ndërhyrje që cenon karakterin e tij do të kishte pasoja afatgjata për turizmin dhe trashëgiminë mjedisore shqiptare.
Deklarata e Berishës vjen në kulmin e debatit publik për projektin e investimit në Zvërnec, i cili prej ditësh ka shkaktuar protesta, reagime politike dhe përplasje të forta mes qeverisë, opozitës dhe aktivistëve të mjedisit. Sipas tij, zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e natyrës duhet të ecin paralelisht, pa lejuar që interesat e ngushta të cenojnë një nga zonat më të veçanta të bregdetit shqiptar.
